Erjon Papagjoni

KLERI SHQIPTAR – “ARMIKU I POPULLIT”
Formë e mprehtë e disidencës antikomuniste

Është e padyshimtë se format e disidencës politike, në trajtën e organizimeve të shumëfarta institucionale e juridike, në një shtet totalitar si Shqipëria e viteve 1945-1990 rezultojnë përnjëmend të pamundura, madje edhe në rastin e institucioneve të kultit, që në rrafshin e kundërshtisë së mendësisë apo ideologjisë që aplikonin, qenë në thelb antikomuniste. Nga pikëpamja juridike, pra ai i raportit të shtetit me fenë dhe veshjen juridike që e mbulonte atë, kundërshtia u bë gjithnjë e më e hapur duke nxjerrë në syprinë, posaçërisht gjatë dhe pas vitit 1967 sjelljen e hapur armiqësore e suprimuese të shtetit.
Nxjerrja e saj jashtë ligjit dhe shkatërrimi i ngrehinave të kultit në gjithë territorin e Shqipërisë, edhe pse feja u ndalua me ligjin themeltar, Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë disa vite më vonë, pra gjithcka e kryer ne menyre vandale e “rrugacerore”, pertej edhe ligjit te kohes, në thelb deshmojne se si “armiqte”, nder kryesoret edhe religjioni si doktrinë dhe praktikë rituale qe shpallen “armiq te socializmit dhe te ideologjisë marksiste-leninste, nuk meritojne” as mbrojtjen ligjore qofte edhe brenda sistemit juridik te nje sistemi totalitar, qe perpara “armiqve” nuk denjon as te aplikoje ligjet qe miraton vete, teper represive edhe ato, por jo mjaftueshem per rregjimin, kur perpara ke “armiq te eger” si pjestaret e klerit. Kjo shënon një specifikë në sensin se religjioni goditet, ndalohet dhe përjashtohet si ideologji, si “pushtet shpirtëror”. Në të vërtetë ndalimi ishte bërë real qysh me shkatërrimin e institucioneve fetare si struktura juridike, ku u suprimua me ligj të posaçëm veprimtaria e tyre si dhe u përligj akti i pashembullt i kahut terrorist për prishjen, rrënimin apo transferimin e pasurive të shumta të klerit nga pronësi private në pronësi shtetërore dhe kooperativiste. Ato iu dhuruan organizatave shoqërore si mjedise për kryerjen e aktivitetit të tyre social dhe politik, ose iu ndryshua destinacioni, siç ngjau me shumë syresh, duke realizuar kështu de fakto suprimimin institucional të fesë, falë njëmendësimit të një qëndrimi radikal e shtypës të politikës së shtetit shqiptar në raport me institucionet e kultit, tashmë inekzistente. Paçka se për efekte studimi Imzot Zef Simoni ndërton një skemë periodizimi të politikës asgjësuese të PPSH ndaj klerit katolik veçmas , nga pikëpamja e raportit juridik të shtetit shqiptar me fenë dhe institucionet e saj mendoj se skema është dykrerëshe, thënë më drejt e ndarë në dy faza, sikundër e përcakton edhe profesor Hamit Kaba në librin e tij “Shqipëria dhe të mëdhenjtë. Nga Lufta e Dytë Botërore në Luftën e Ftohtë”. Pra:

Faza e parë, 1944-1948, ku shteti komunist u përpoq të shkatërronte organizimin dhe qenësinë e besimeve fetare në vend. Ndonëse i ruajti besimet fetare dhe ligjin monarkik te Zogut I rreth komuniteteve fetare, falë ideologjisë prej të cilit frymëzohej e shpalli fenë “opium për popullin” duke ligjëruar pa rreshtur mbi “armiqësinë” e saj ndaj komunizmit dhe popullit.

Faza e dytë, 1949-1967, përmes ligjeve dhe ndryshimeve statuore shteti komunist e cenoi rëndë pavarësine e besimeve fetare, deri në likujdimin e tyre përfundimtar me pogrome të pashembullta dhe masa drakoniane ndaj shumë prej klerikëve konseguentë e këmbëngulës në idetë e tyre.

Merret me mend se “armiqësia” dhe “armiku” i shtetit shqiptar mbeti po njësoj i dykahshëm: ndaj religjionit si ideologji dhe impakt i fuqishëm shpirtëror tek njerëzit, dhe ndaj religjionit si organizim institucional, si raport juridik. Në të dy kahet feja dhe kleri u shpallën “armiq”, e patolerueshme tek e para, pra te religjioni si i tillë, ndërsa tek i dyti, me politika kufizuese, gjer edhe ndëshkuese, me burgime e pushkatime ndaj klerikëve të guximshëm e të martirizuar. Nëse do të hyjmë më në thellësi në raportin shtet-fe, skema sa i përket “persekutimit fetar” dhe shpalljes “armik” të fese dhe te klerit, mund të identifikohet edhe në modele periodizimi më të hapura, që konfigurojnë më në plotëri marrëdhënien juridike shtet-fe. Pra periudhat: 1945-1950, 1950-1963 dhe 1963-1968.

Blog at WordPress.com.

Up ↑

Design a site like this with WordPress.com
Get started